
Drejtori i Mossad-it, David Barnea, zhvilloi të enjten në Doha një takim me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al-Thani, ku çështja e negociatave për marrëveshjen e pengjeve u diskutua gjerësisht, konfirmoi një zyrtar izraelit për The Jerusalem Post.
Takimi erdhi pas një informimi për mediat, ku një zyrtar i lartë izraelit deklaroi se “shefi i Mossad-it përcolli mesazhin se një marrëveshje e pjesshme është jashtë diskutimit” dhe se nuk janë zhvilluar negociata direkte, por vetëm bisedime mbi çështje që lidhen me aktivitetin e Mossad-it.
Katarit dhe Egjipti po punojnë mbi një kornizë marrëveshjeje që do të përfshinte lirimin e të gjithë pengjeve dhe përfundimin e luftës. Megjithatë, në tryezë mbetet edhe mundësia e një marrëveshjeje të pjesshme, që parashikon lirimin e 10 pengjeve në këmbim të një armëpushimi dy-mujor.
Në Doha, në të njëjtën kohë me Barnea, ndodhej edhe ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, i cili sipas kanalit Al-Hadath, mori pjesë në bisedime me shefin e Mossad-it. Disa zyrtarë të lartë të Hamasit aktualisht banojnë në Turqi.
Ndërkohë, në Kajro, të enjten vijuan takimet mes drejtuesve të lartë të Hamasit dhe zyrtarëve egjiptianë, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një zgjidhje diplomatike të konfliktit.