Vendosni fjalën kyçe....

Liderët europianë optimistë për paqen pas takimit Trump–Putin



Liderët europianë shfaqën optimizëm të kujdesshëm pas një takimi virtual me presidentin amerikan Donald Trump të mërkurën, dy ditë para se ai të takohej me homologun rus Vladimir Putin në Alaska për të diskutuar një armëpushim në Ukrainë, përcjell BBC.

Trump u tha europianëve se qëllimi i tij për samitin ishte të arrihej një armëpushim mes Moskës dhe Kievit. Ai gjithashtu u pajtua që çdo çështje territoriale duhet të vendoset me përfshirjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe që garantimet e sigurisë duhet të jenë pjesë e marrëveshjes, sipas deklaratës së Emmanuel Macron.

Sipas Macron, biseda me Trump i lejoi europianët të “sqarojnë pritshmëritë” e tyre dhe të kërkonin që interesat e Ukrainës dhe siguria e kontinentit të mos injoroheshin. Në bisedë morën pjesë edhe liderët e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Finlandës, Polonisë, si dhe kreu i BE-së Ursula von der Leyen dhe kreu i NATO-s Mark Rutte.

Megjithatë, europianët insistuan që Zelensky duhet të jetë pjesë e çdo vendimi përfundimtar, duke shprehur shqetësimin se Putin mund të përpiqet të bindë Trump të lërë territore ukrainase në këmbim të armëpushimit. Kryetari i Polonisë, Donald Tusk, theksoi: “Është thelbësore që Europa ta bindë Donald Trump se Rusisë nuk i besohet”, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz shtoi se Ukraina duhet të jetë e përfshirë në çdo takim të ardhshëm.

Që kur u shpall samiti SHBA-Rusi, Trump ka bërë disa referenca për “ndryshime teritoriale” mes Kievit dhe Moskës, duke ngjallur shqetësime serioze në Ukrainë dhe jashtë saj. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Alexey Fadeev, ripërsëriti se qëndrimi i Moskës nuk ka ndryshuar, duke kërkuar që Ukraina të tërhiqet nga katër rajone të okupuar dhe të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO.

Presidenti Zelensky paralajmëroi se Rusia mund të përdorë çdo territor të mbajtur si bazë për invazione të mëtejshme dhe kërkoi më shumë presion nga aleatët. Ndërsa Trump pranoi se edhe një takim ballë për ballë me Putin mund të mos ndalojë vrasjet e civilëve, ai tha se po përpiqet të arrijë një marrëveshje që përfshin garantime sigurie për Ukrainën.

Në krahun e tyre, Britania dhe Franca po udhëheqin një “Koalicion të Gatshëm” për të parandaluar pushtime të mëtejshme, duke ofruar madje edhe një forcë mbrojtjeje pas përfundimit të armiqësive, megjithëse detajet e saj mbeten të paqarta. Ndërkohë, ofensiva verore ruse vazhdon në vijën e frontit, duke mbajtur tensionin të lartë në rajon.