
Zjarret që kanë përfshirë njësinë administrative Skënderbegas në bashkinë e Gramshit po përshkallëzohen me shpejtësi, duke krijuar një situatë alarmante me pasoja të rënda materiale dhe shëndetësore. Flakët, që janë përhapur nga një fshat në tjetrin, kanë shkaktuar deri tani një viktimë, 8 të lënduar, shkrumbimin e 39 banesave, djegien e sipërfaqeve të mëdha me pyje e shkurre, si dhe asgjësimin e dhjetëra e qindra krerëve të bagëtive, të cilat nuk mundën të shpëtonin për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve.
Ministria e Bujqësisë ka nisur procesin e groposjes emergjente të kafshëve të ngordhura, për të shmangur rrezikun e përhapjes së sëmundjeve infektive. Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat e larta përshpejtojnë dekompozimin e trupave të kafshëve, duke krijuar vatra të rrezikshme infeksioni që mund të kërcënojnë seriozisht shëndetin e banorëve. Për këtë arsye, groposja duhet të bëhet në mënyrë të kontrolluar dhe sipas standardeve veterinare, duke shmangur çdo kontakt të drejtpërdrejtë me kafshët e ngordhura dhe duke monitoruar burimet e ujit për ndotje.
Flakët tashmë kanë hyrë në fshatin e tetë të kësaj njësie administrative, duke angazhuar mbi 350 efektivë të emergjencës, të mbështetur nga ndërhyrja ajrore me helikopterë. Përveç përballjes me zjarret, ekipet në terren hasin edhe vështirësi nga banorë që refuzojnë të largohen nga shtëpitë e tyre, pavarësisht rrezikut të dukshëm. Kryebashkiaku i Gramshit, Besjon Ajazi, ka bërë apel që “të largohet edhe banori i fundit”, duke theksuar se në disa raste është dashur të përdoret forcë për të siguruar evakuimin.
Autoritetet dhe ekipet e emergjencës kërkojnë evakuim të menjëhershëm dhe ndjekje të udhëzimeve zyrtare, duke e cilësuar shpëtimin e jetëve njerëzore si prioritet absolut. Banorët këshillohen të lëvizin drejt zonave të sigurta dhe të paraqiten në qendrat shëndetësore nëse shfaqin shenja të sëmundjeve respiratore, ethe apo skuqje të lëkurës, ndërsa ajri i ndotur nga tymi dhe mbetjet biologjike mbetet një rrezik serioz për shëndetin publik.