Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr masiv në periferi të Cërrikut, rrezikohen ullishtet dhe bizneset lokale


Një vatër zjarri me përmasa të mëdha shpërtheu pasditen e sotme në periferi të qytetit të Cërrikut, duke rrezikuar seriozisht dhjetra hektarë me ullishta, vreshta, masive me shkurre, si dhe jetën e banorëve dhe bizneset lokale në zonë.

Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të gjerë që fillon pranë ish-uzinës së rafinerisë së naftës dhe janë përhapur me shpejtësi drejt zonave të banuara dhe qendrave të aktivitetit ekonomik. Era e fortë dhe temperaturat e larta, të cilat vijojnë edhe në orët e vona të ditës, kanë ndihmuar në përshpejtimin e përhapjes agresive të zjarrit, duke e bërë situatën shumë të vështirë për ndërhyrje.

Në përpjekje për të izoluar flakët dhe për të parandaluar përhapjen më tej, janë angazhuar dhjetëra punonjës të shërbimit zjarrfikës nga Bashkia Cërrik, të mbështetur nga ekipet zjarrfikëse të bashkive përreth, përfshirë Peqin, Elbasan dhe Belsh. Në terren janë përdorur edhe një numër i konsiderueshëm mjetesh zjarrfikëse, ndërsa bashkëpunimi ndërmjet forcave në terren po vazhdon intensivisht për të përballuar emergjencën.

Autoritetet lokale kanë njoftuar se zjarri ka rrezikuar edhe infrastrukturën e disa bizneseve në zonë, ndërsa deri më tani nuk ka raportime për persona të lënduar. Megjithatë, dëmet materiale pritet të jenë të konsiderueshme, ndërsa një mini kombinat druri raportohet të jetë shkrumbuar nga flakët.

Policia dhe grupet hetimore kanë nisur verifikimet për të zbuluar shkakun e saktë të shpërthimit të zjarrit, i cili ende mbetet i paqartë. Në mesin e dyshimeve janë përfshirë edhe zjarrvënia e qëllimshme, si dhe shkaqe natyrore, përfshirë temperaturat e larta që po mbizotërojnë në rajon. Një tjetër pistë që po hetohet është ajo e shkëndijave elektrike të rrjetit të tensionit të lartë, ku thuhet se mund të ketë ndodhur këputja e përcjellësit të linjës elektrike.

Situata vazhdon të monitorohet nga afër nga autoritetet e Bashkisë Cërrik, të cilat kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë të ndërhyjnë me burimet dhe forcën e nevojshme deri në shuarjen totale të zjarrit dhe rikthimin e sigurisë për banorët dhe pronat e prekur.

Banorët dhe bizneset e zonës janë këshilluar të tregohen të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për të shmangur rreziqet nga flakët dhe tymi i dendur.