Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky përshëndet deklaratën e liderëve europianë për rolin e Ukrainës në bisedimet e paqes


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka mirëpritur deklaratën e aleatëve europianë, të cilët theksuan se “rruga drejt paqes në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën”, përpara samitit të planifikuar mes Donald Trump dhe Vladimir Putin.

Në një deklaratë të përbashkët të bërë të shtunën në mbrëmje, liderët e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Finlandës, si dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, nënvizuan se Kievi duhet të jetë pjesë e çdo bisedimi paqeje me Rusinë.

Trump dhe Putin pritet të takohen të premten në Alaskë.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha të shtunën mbrëma se presidenti amerikan ishte i hapur për përfshirjen e Zelenskyyt në bisedime, por për momentin samiti mbetet dypalësh, përcjell The Guardian.

Nga pala ruse, të dielën u raportua se një person humbi jetën dhe disa apartamente si dhe një objekt industrial u dëmtuan nga një sulm me dron ukrainas në rajonin jugor të Saratovit.

Një ditë më parë, guvernatori i Khersonit, Oleksandr Prokudin, njoftoi se dy persona u vranë dhe 16 u plagosën nga një dron rus që goditi një minibus në periferi të qytetit, ndërsa në Zaporizhzhia, guvernatori Ivan Fedorov raportoi vrasjen e dy personave të tjerë pas goditjes së makinës së tyre nga një dron rus.

Në deklaratën e tyre, liderët europianë përshëndetën përpjekjet e Trump për t’i dhënë fund luftës, por theksuan se negociatat mund të zhvillohen vetëm në kuadër të një armëpushimi ose uljeje të armiqësive.

“Vetëm një qasje që kombinon diplomacinë aktive, mbështetjen për Ukrainën dhe presionin mbi Federatën Ruse për t’i dhënë fund luftës së saj të paligjshme mund të ketë sukses”, thuhej në deklaratë.

Të dielën, Zelenskyy shkroi në X: “Fundit të luftës duhet të jetë i drejtë, dhe jam mirënjohës për të gjithë ata që sot qëndrojnë me Ukrainën dhe popullin tonë për hir të paqes në Ukrainë, e cila mbron interesat jetike të sigurisë të kombeve tona europiane. Ukraina e vlerëson dhe e mbështet plotësisht deklaratën e Presidentit Macron, Kryeministres Meloni, Kancelarit Merz, Kryeministrit Tusk, Kryeministrit Starmer, Presidentes Ursula von der Leyen dhe Presidentit Stubb për paqen në Ukrainë”.

Në një postim në Telegram të shtunën, ai kishte theksuar se çdo vendim i marrë pa Kievin janë “vendime të vdekura”“nuk do të funksionojnë kurrë”.

Të shtunën, ministri i jashtëm britanik, David Lammy, dhe zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i cili ndodhet me pushime në MB, zhvilluan një takim me partnerë ukrainas dhe europianë në rezidencën Chevening në Kent, për të nxitur procesin e paqes.

Pas takimit, Lammy deklaroi në X se mbështetja britanike për Ukrainën “mbetet e pathyeshme” në përpjekjen për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

Nëse samiti Trump–Putin zhvillohet, ai do të jetë takimi i parë mes një presidenti amerikan dhe liderit rus që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt 2022. Takimi i fundit i Putinit me një president amerikan ishte me Joe Biden në Gjenevë, në qershor 2021.

Detajet e një marrëveshjeje të mundshme nuk janë bërë publike, por Trump ka thënë se për t’i dhënë fund luftës do të nevojitej “shkëmbim territoresh për të mirën e të dyja palëve”, çka nënkupton se Ukraina mund të detyrohet të heqë dorë nga pjesë të rëndësishme të territorit të saj.

Të shtunën, Zelenskyy përsëriti se ukrainasit “nuk do t’ua dorëzojnë tokën pushtuesve”.

Një zyrtar europian konfirmoi se në takimin e Chevening ishte paraqitur një kundërpropozim nga përfaqësuesit europianë, i cili, sipas Wall Street Journal, përfshinte kushtin që armëpushimi të ndodhë përpara çdo hapi tjetër dhe që çdo shkëmbim territoresh të jetë reciprok, me garanci të forta sigurie.

Nuk dihet nëse u arrit ndonjë marrëveshje, por Zelenskyy e quajti takimin konstruktiv, duke theksuar në fjalimin e tij mbrëmësor se “Rruga drejt paqes për Ukrainën duhet të përcaktohet së bashku dhe vetëm së bashku me Ukrainën. Ky është një parim kyç”.