Vendosni fjalën kyçe....

Kabineti i Sigurisë së Izraelit miraton marrjen e plotë të kontrollit të Gazës


Pas një mbledhjeje të gjatë gjatë natës, Kabineti i Sigurisë miratoi në orët e hershme të së premtes planin për marrjen e kontrollit të plotë mbi Rripin e Gazës, duke anashkaluar kundërshtimet e forta të Shefit të Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Gjeneralit Eyal Zamir, i cili paralajmëroi për lodhjen e trupave dhe rrezikun për pengjet.

Mbledhja, e cila filloi të enjten vonë në mbrëmje, nxori në pah ndarjet e forta mes Kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe Gjeneralit Zamir, i cili propozoi një plan alternative për rrethimin e Gazës. Disa ministra kundërshtuan hapur qëndrimin e Zamirit gjatë debatit.

Në një deklaratë të lëshuar para orës 5 të mëngjesit, zyra e Netanyahut njoftoi se Kabineti kishte miratuar propozimin e tij për “fitoren përfundimtare ndaj Hamasit”, ndërsa IDF po përgatitet të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, duke siguruar ndihma humanitare për civilët jashtë zonave të konfliktit, përcjell Ynet.

Kabineti miratoi atë që zyrtarët e quajtën “pesë parimet për përfundimin e luftës”: çarmatimin e Hamasit, sigurimin e kthimit të të gjitha pengjeve, të gjalla dhe të vdekura, demilitarizimin e territorit, mbajtjen e kontrollit të sigurisë izraelite në Gaza dhe krijimin e një administrate civile alternative që nuk do të jetë as Hamas, as Autoriteti Palestinez.

Sipas deklaratës, shumica e ministrave refuzuan planin e rrethimit të Zamirit, duke argumentuar se ai nuk do të siguronte fitoren e Hamasit apo kthimin e pengjeve.

Nën planin e miratuar, evakuimi i civilëve në qytetin e Gazës duhet të përfundojë deri më 7 tetor, një datë simbolike, pas së cilës do të vendoset një bllokadë ndaj luftëtarëve të mbetur të Hamasit.

Netanyahu dhe Ministri i Mbrojtjes Israel Katz do të kenë miratimin përfundimtar mbi planin operativ të IDF-së.

Megjithëse vendimi zyrtar shmang përdorimin e termit “okupim”, duke përdorur fjalën “marrje” për arsye ligjore që lidhen me përgjegjësinë civile, një zyrtar i lartë izraelit pranoi se qëllimi është në fakt okupimi i Gazës.

Operacioni do të zhvillohet në faza, duke filluar me marrjen e kontrollit të qytetit të Gazës, por mund të ndalet nëse arrihet një marrëveshje për pengjet.

Ministri i Financave Bezalel Smotrich kundërshtoi masën pasi nuk përjashtonte ndalimin e luftës për një marrëveshje për pengjet dhe u bashkua me Ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir në kundërshtimin e ndihmave humanitare masive për Gazën.

Smotrich argumentoi se nëse ushtria nuk ka për qëllim “të shkojë deri në fund”, plani i Zamirit do të ishte më i mirë.

Zamir ishte kundërshtari më i ashpër në mbledhje, duke paralajmëruar për pasojat humanitare dhe operacionale të zhvendosjes së rreth 1 milion gazanëve dhe rrezikun potencial për pengjet.

Në një debat të nxehur me Ben-Gvir, Zamir tha: “Nuk ka zgjidhje humanitare për një milion njerëz që do t’i transferojmë. Gjithçka do të komplikohet,” duke shtuar me ironi për ministrat: “Sugjeroj që të hiqni kthimin e pengjeve nga objektivat e luftës.”