Vendosni fjalën kyçe....

Sekuestrohen 1.4 kg kanabis në Lazarat, arrestohet një shtetas


Policia e Gjirokastrës ka zbuluar dhe goditur një tjetër rast të kultivimit dhe prodhimit të lëndëve narkotike, në kuadër të operacionit “Koordinata”.

Në oborrin e një banese në Lazarat u zbuluan disa bimë të dyshuara si kanabis, ndërsa në brendësi të shtëpisë u sekuestruan rreth 1.4 kilogramë lëndë narkotike e ndarë në doza, gati për shitje.

Në pranga u vu shtetasi M. M., i dyshuar për kultivim dhe prodhim të lëndës narkotike.

Njoftimi:

Gjirokastër/Vijojnë kontrolle intensive, në zbatim të planit operacional anticannabis, të koduar “Koordinata”.

Në një banesë në Lazarat:

-sekuestrohen 1.4 kilogramë Cannabis Sativa, gati për shitje.

-asgjësohen disa bimë narkotike.

Arrestohet shtetasi që kishte kultivuar bimët dhe prodhuar lëndën narkotike.

Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër goditën një tjetër rast të kultivimit/prodhimit të narkotikëve, për të cilin u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi M. M..

Gjatë kontrolleve, në oborrin e banesës së këtij shtetasi, u gjetën të kultivuara, disa bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, ndërsa në banesë iu gjetën rreth 1.4 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, gati për shitje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.