Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Federale amerikane ndalon përkohësisht ndërtimin e qendrës së ndalimit të emigrantëve në Florida


Një gjykatë federale në Miami ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të ndërtimit në qendrën e ndalimit të migrantëve të njohur si “Alligator Alcatraz” në Everglades të Floridës. Vendimi i gjykatëses Kathleen Williams ndalon për 14 ditë çdo zgjerim të infrastrukturës së objektit, përfshirë mbushjet, shtrimin e rrugëve, ndriçimin dhe instalime të tjera ndërtimore, ndërkohë që palët vijojnë përballjen gjyqësore për një urdhër ndalimi të përhershëm, përcjell Fox News.

Pavarësisht ndalimit të ndërtimit, objekti do të vazhdojë të operojë dhe të mbajë të ndaluar migrantët.

Vendimi vjen pas padive nga grupe ambientaliste dhe një fis autokton, të cilët pretendojnë se ndërtimi po shkatërron ekosistemin e ndjeshëm të Everglades, i banuar nga specie të mbrojtura, dhe përbën shkelje të Aktit Kombëtar për Politikën Mjedisore.

“Eliminohet përkohësisht rreziku ndaj ujërave të ndjeshme, natës me yje dhe krijesave të pambrojtura të Everglades-it,” tha avokatja Elise Bennett nga Qendra për Diversitet Biologjik. “Por nuk do të ndalemi këtu – do ta çojmë betejën deri në fund.”

Zyra e Guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis, reagoi ashpër, duke e cilësuar vendimin si “të një gjykatëse aktiviste” dhe theksoi se “Alligator Alcatraz do të vijojë operimin dhe do të ndihmojë në përpjekjet për deportim.”

Avokati i përgjithshëm i Floridës, James Uthmeier, njoftoi se do ta apelojë vendimin.

Qendra e ndalimit është ngritur në një sipërfaqe prej 30 miljesh katrore në territorin e aeroportit Dade-Collier dhe pritet të strehojë deri në 5,000 migrantë. Zona është e rrethuar nga aligatorë dhe gjarpërinj pytonë, që sipas autoriteteve shërbejnë si element sigurie natyror.

Përveç padisë mjedisore, objekti po përballet edhe me një tjetër proces gjyqësor nga organizatat e të drejtave civile, që pretendojnë se migrantëve u janë mohuar të drejtat kushtetuese, si takimi me avokatë dhe mbajtja pa akuza formale.

Gjykatësja Williams paralajmëroi se çdo ndërtim i mëtejshëm mund të mbetet i përhershëm, pavarësisht rezultatit përfundimtar të gjyqit, ndaj vendosi të pezullojë ndërtimin përkohësisht.

Proceset gjyqësore pritet të vijojnë në ditët në vijim.