
Franca po përballet me një nga zjarret më të mëdha të kësaj vere, teksa qindra zjarrfikës po luftojnë për të vënë nën kontroll flakët që kanë përfshirë një zonë të gjerë kodrinore në jug të vendit. Së paku një grua ka humbur jetën dhe nëntë persona janë plagosur, përfshirë edhe zjarrfikës, ndërsa të paktën 25 shtëpi janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht, përcjell Guardian.
Zjarri nisi të martën pasdite në fshatin Ribaute, në departamentin Aude, dhe është përhapur me shpejtësi në zonën e pyllëzuar të Corbières, një rajon i njohur për vreshtat dhe fshatrat mesjetarë. Deri tani, janë djegur rreth 13,000 hektarë tokë, duke e bërë këtë zjarr më të madhin dhe më të shpejtin në Francë për këtë sezon.
Zyrtarët lokalë kanë deklaruar se një person ndodhet në gjendje kritike për jetën për shkak të djegieve të rënda, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Zjarri po përhapet me një shpejtësi prej 5.5 km/h, çka e bën ndër më të vështirët për t’u menaxhuar.
Zëdhënësi i zjarrfikësve, Eric Brocardi, e përshkroi situatën si “një katastrofë me përmasa të paprecedenta”, ndërsa kryeministri François Bayrou, gjatë një vizite në zonën e prekur, e lidhi këtë fatkeqësi me ndryshimet klimatike dhe thatësirën ekstreme që ka përfshirë vendin.