Vendosni fjalën kyçe....

I dërguari i BE për dialogun Serbi-Kosovë, Peter Sorensen takohet në Prishtinë me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin


I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ndodhet sot në Prishtinë, ku ka takuar krerët e lartë shtetërorë.

Vizita nisi me një takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe më pas i dërguari i BE-së, ka shkuar drejt zyrës së Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Vizita e emisarit evropian vjen në kohën kur Serbia ka paralajmëruar se nuk mund të ketë dialog me Kosovën, pa lirimin e zyrtarit Igor Popoviç, i arrestuar nga prokuroria speciale, pasi gjatë një fjalimi në Rahovec e kishte quajtur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.

Kosova dhe Serbia nuk kanë mbajtur një takim të nivelit të lartë për dialog, që prej Shtatorit të vitit 2023, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një policin Afrim Bunjaku.

Kosova për këtë ngjarje fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se është i përfshirë. Edhe zyrtarët e BE-së kërkojnë që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.