
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se në vjeshtë do të nisë një aksion të ri opozitar për largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti, duke e cilësuar këtë si parakusht për rikthimin e vullnetit të lirë të qytetarëve në procesin demokratik.
“Largimi i Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve që qytetarët të vendosin për qeverinë e ardhshme me vullnetin e tyre,” tha Berisha në një deklaratë për mediat.
Ai nënvizoi se Partia Demokratike do të angazhohet maksimalisht për të mobilizuar shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.
“PD do të bëjë çdo gjë për të mobilizuar shqiptarët të bëjnë çdo gjë për votën e tyre, jo vetëm në Shqipëri por edhe në diasporë, ndaj përfaqësuesve të narkoshtetit në diasporë,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, vendi ndodhet përballë një “diktature autokratike që ka si forcë lëvizëse drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve”, ndaj “qëndresa e përgjithshme e qytetarëve është rruga për të dalë nga kjo situatë.”