
Një aksident detar ka ndodhur mesditën e së martës pranë ishullit Diaporos, në zonën turistike të Halkidikit në Greqi, ku një skaf me shtatë persona në bord është përplasur me një breg shkëmbor.
Sipas autoriteteve portuale greke, në bord ndodheshin gjashtë shtetas nga Kosova dhe një shtetas amerikan. Si pasojë e përplasjes, tre prej tyre kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Agios Nikolaos, e më pas në Spitalin e Përgjithshëm të Poligyros.
Fatmirësisht, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe tashmë janë liruar nga spitali. Skafi, i cili dyshohet se ishte marrë me qira, është përmbysur pas përplasjes dhe më pas është tërhequr në breg.
Autoritetet portuale të Ormos Panagias kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.