Vendosni fjalën kyçe....

Rusia dhe Kina përfundojnë stërvitjet e përbashkëta detare në Detin e Japonisë


Marinat ushtarake të Rusisë dhe Kinës përfunduan të martën stërvitjet pesëditore “Ndërveprimi Detar 2025”, të zhvilluara në Detin e Japonisë, duke theksuar bashkëpunimin në rritje midis dy vendeve në fushën e sigurisë, përcjell REL.

Sipas Flotës së Paqësorit të Rusisë, anijet luftarake kineze dhe ruse zhvilluan manovra të përbashkëta, përfshirë qitje me municion të vërtetë dhe stërvitje kundër nëndetëseve. Në operacion morën pjesë anije shkatërruese, nëndetëse me naftë dhe elektrike, si dhe mjete për shpëtimin e nëndetëseve.

Stërvitjet filluan më 1 gusht pranë qytetit Vladivostok, për të vijuar në Detin e Japonisë dy ditë më vonë. Ato përfaqësojnë një hap të mëtejshëm në afrimin ushtarak midis Moskës dhe Pekinit, të cilët që prej vitit 2003 kanë realizuar mbi 100 ushtrime të përbashkëta ushtarake – gjysma e të cilave në gjashtë vitet e fundit.

Rajoni i Paqësorit mbetet një zonë me tensione të shtuara për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale të Kinës me disa vende, si dhe mosmarrëveshjeve të Rusisë me Japoninë. Kina konsideron Tajvanin si pjesë të territorit të saj dhe nuk përjashton përdorimin e forcës për ta rikthyer ishullin nën kontrollin e saj.

Ushtrimet ruso-kineze përkuan kohësisht me stërvitjet e para detare të përbashkëta mes Indisë dhe Filipineve në Detin e Kinës Jugore, ku Kina gjithashtu ka pretendime të gjera territoriale. Filipinet vazhdojnë të mbështeten nga partnerë strategjikë si SHBA, Japonia dhe Australia për të ruajtur lirinë e lundrimit në këto ujëra të kontestuara.