Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Letra e Hasanit misioneve provon se shteti dhe partia janë një


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të ashpra ndaj ministrit të Jashtëm Igli Hasani, pasi ky i fundit u dërgoi një letër misioneve ndërkombëtare vëzhguese vetëm një orë pas publikimit të raportit për zgjedhjet e 11 majit.

Berisha e cilësoi këtë veprim si dëshmi të bashkimit të shtetit me partinë në pushtet, duke akuzuar Hasanin si “avokat të farsës elektorale” dhe “ushtar të Edi Ramës”.

“Letra e ministrit dhe reagimi i tij fakton edhe njëherë se shqiptarët u përballën me një farsë elektorale”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se një reagim i tillë ndaj raportit të misioneve ndërkombëtare do të duhej të vinte nga opozita dhe jo nga Ministria e Jashtme, e cila sipas tij nuk duhet të bëhet palë politike.

“Një letër atyre misioneve mund t’u dërgonte opozita, por kurrë dhe në asnjë radhë ministri i Jashtëm nuk bëhej dot palë me PS-në veçse duke dëshmuar atë që kanë shkruar vëzhguesit: se në Shqipëri partia dhe shteti janë një”, u shpreh lideri i opozitës.

Berisha e përmendi ministrin Hasani në të njëjtën linjë me kreun e SPAK, Altin Dumani, duke i akuzuar të dy si mbrojtës të një “krimi të shëmtuar zgjedhor”.

Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:

 

Narko-ministri i Jashtëm reagoi dje në mënyrën më të papërgjegjshme, duke faktuar pakundërshtueshëm se ai, njëlloj si Altin Troplini, është një ushtar i Edi Ramës, është një avokat i farsës elektorale të 11 majit 2025.

Për çdo qytetar shqiptar, unë shtroj pyetjen: një letër misioneve vëzhguese ndërkombëtare vetëm një orë pas publikimit të raportit të tyre, a mund t’i dërgonte ministri i Jashtëm i vendit?

Një letër atyre misioneve mund t’u dërgonte opozita, por kurrë dhe në asnjë radhë ministri i Jashtëm nuk bëhej dot palë me PS-në veçse duke dëshmuar atë që kanë shkruar misionet e vëzhgimit se në Shqipëri partia dhe shteti ishin një dhe për rrjedhojë nuk mund të ketë zgjedhje por veçse farsë.

Pra, letra e ministrit dhe reagimi i tij mbrapa, fakton edhe njëherë se shqiptarët u përballën me një farsë elektorale.

Ministri vetë, është bashkë me Dumanin, një avokat i këtij krimi të shëmtuar.