Vendosni fjalën kyçe....

Vritet në Vaun e Dejës Frrok Lleshaj, i dënuar më parë për vrasje – dyshohet për hakmarrje


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, ku është vrarë me armë zjarri Frrok Lleshaj, 65 vjeç, një shtetas i cili më parë ka qenë i dënuar për vrasje me dashje.

Sipas burimeve zyrtare, viktima ishte dënuar me 25 vite burgim me vendimin nr. 37, datë 17.03.2006 nga Gjykata e Shkodrës, ndërsa ishte liruar nga burgu më 16 mars 2023.

Paraprakisht dyshohet se vrasja ka ndodhur për hakmarrje, pasi Lleshaj po ecte në rrugët e fshatit kur u qëllua me armë zjarri. Trupi i pajetë është gjetur nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë policinë.

Menjëherë pas ngjarjes është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të rrethanave, dokumentimin ligjor të krimit dhe identifikimin e autorit ose autorëve të mundshëm.

Pista kryesore e hetimit mbetet gjakmarrja, por autoritetet nuk përjashtojnë as pista të tjera.