
Pas komunikimit zyrtar të akuzave nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia, duke e cilësuar të gjithë procesin një hetim të fabrikuar që sipas tij ka nisur që në dhjetor të vitit 2019.
Në një postim në Facebook, Meta shkruan: “Asgjë e re nga takimi i fundit më 27 maj me prokurorët e SPAK-ut. Përshëndes mbylljen zyrtare të hetim-fabrikimeve të nisura që në dhjetor 2019.”
Ai thekson se gjatë takimit me prokurorët ka ngritur sërish kërkesën për hetimin e plotë të pagesave të paligjshme që, sipas tij, janë kryer në emër të LSI-së për lobimin në SHBA. Meta kërkon gjithashtu që të zbardhet se kush i miratonte këto fatura në parti.
“Ngritëm me forcë dhe zyrtarisht kërkesën për të hetuar me përgjegjshmëri se kush ka bërë pagesa të paligjshme për llogari të LSI-së për kompanitë në SHBA dhe së dyti se kujt i dërgonin faturat për t’u aprovuar në Partinë e Lirisë, kompania GSIS,” shkruan ai.
Në vijim, Meta akuzon SPAK-un se po ndjek një diktat politik dhe se mungesa e hetimeve në këtë drejtim është dëshmi e qartë e ndërhyrjes politike në drejtësi.
“Mos-hetimi në këto dy drejtime është vetëm pasojë e një diktati politik, pasi nga ana ligjore dhe profesionale kjo është gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet dhe që duhet të ishte bërë prej dy vitesh,” përfundon Meta.
SPAK i komunikoi zyrtarisht ditën e sotme akuzat për pastrim parash dhe korrupsion në lidhje me çështjet CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA, për të cilat Meta dhe mbrojtja e tij mohojnë çdo përfshirje.