
Kopshti zoologjik i Aalborgut në Danimarkë ka bërë një thirrje të pazakontë për publikun: të dhurojnë kafshët shtëpiake të padëshiruara, në gjendje të mirë shëndetësore, për t’i përdorur si ushqim për grabitqarët që jetojnë në ambientet e tij, përcjell BBC.
Në një postim në Instagram, kopshti shpjegon se ka “përgjegjësinë për të imituar zinxhirin natyror ushqimor të kafshëve”, duke theksuar se kafshët e vogla si pulat, lepujt dhe kaviet përbëjnë një pjesë të rëndësishme të dietës së tyre – veçanërisht për rrezikun evropian (Eurasian lynx).
Kafshët e vogla mund të dorëzohen gjatë ditëve të javës, pa takim, por në sasi jo më shumë se katër. Sipas rregullores, ato “euthanizohen në mënyrë të kujdesshme” nga stafi i trajnuar.
Përveç tyre, kopshti pranon edhe kuaj të gjallë, për të cilët vendoset një proces më i strukturuar: kafsha duhet të ketë pasaportë kali dhe të mos ketë marrë trajtim mjekësor në 30 ditët e fundit. Nëse dorëzimi miratohet, pronari mund të përfitojë edhe një zbritje tatimore.
Zëvendësdrejtoresha e kopshtit zoologjik, Pia Nielsen, sqaroi se kjo praktikë është e zakonshme në Danimarkë: “Kur mban kafshë mishngrënëse, është e nevojshme t’u sigurosh mish – idealisht me lesh, kocka dhe pjesë të tjera – për një dietë sa më natyrale,” tha ajo. “Prandaj ka kuptim që kafshët që duhet të eutanizohen për arsye të ndryshme, të përdoren në këtë mënyrë.”
Grabitqarët e tjerë që ushqehen në këtë mënyrë në Aalborg përfshijnë luanët dhe tigrat.