
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur sërish akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar procesin zgjedhor të 11 majit si një “farsë elektorale” dhe “procesin më të diskredituar në 32 vite pluralizëm”.
Në një deklaratë për mediat këtë të diel, Berisha publikoi një letër të datës 12 maj, që sipas tij është dërguar nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, për përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve.
Letra, e adresuar për Farah Karimi, koordinatore speciale e OSBE-së, si dhe për zyrtarë të ODIHR-it, Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës, përfshirë Lamberto Zannier, Bjorn Soder, Simone Billi dhe Michael Gahler, përbën, sipas Berishës, një formë presioni të paprecedent.
“Kjo është një përpjekje e qartë për të detyruar misionet ndërkombëtare që të ndryshojnë tonin kritik të raportit të tyre. Ky është banditizëm diplomatik në shkallën më të lartë,” u shpreh Berisha.
Sipas tij, në letër ministri Hasani ka shprehur “shqetësim serioz për paragrafin hyrës të deklaratës paraprake të vëzhguesve, të cilin e cilëson si thellësisht negativ dhe të pabalancuar”.
Ministri, thuhet në deklaratë, ka theksuar gjithashtu “pritshmërinë që raportet të pasqyrojnë me saktësi realitetet e vëzhguara në terren”.
Berisha theksoi se përpjekjet për të ndikuar në raportet ndërkombëtare janë një dëshmi tjetër se procesi zgjedhor ishte i manipuluar dhe thellësisht i komprometuar.
“U kërkoj të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë që të mos nënshtrohen ndaj presioneve të një regjimi që përdor diplomacinë për të fshehur manipulimin dhe dhunimin e zgjedhjeve,” deklaroi ai.
Ai kujtoi gjithashtu akuzat e mëparshme për “blerje masive votash, përdorim të fondeve publike, armatosje të patronazhistëve dhe manipulim të votës së diasporës”, duke e përshkruar procesin e 11 majit si “zgjedhje të kapura nga një regjim që përdor shtetin për qëllime elektorale”.
Berisha ka paralajmëruar se këto çështje do të denoncohen edhe në instancat ndërkombëtare, duke theksuar se “shkeljet janë të rënda dhe nuk do të harrohen”.