Vendosni fjalën kyçe....

Aksident në Itali, kamioni përplaset me ambulancën duke lënë tre viktima



Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në autostradën A1 në seksionin Valdarno, mes Arezzos dhe Firences në Itali, ku një kamion është përplasur me disa automjete, duke shkaktuar vdekjen e tre personave që ndodheshin në një ambulancë.

Sipas raportimeve nga Corriere della Sera, pas përplasjes me një kamion tjetër, mjeti i tonazhit të rëndë ka goditur edhe një autobus turistik dhe më pas ka hyrë në korsinë e kundërt, ku ka përplasur për vdekje një ambulancë që po transportonte një pacient 75-vjeçar.

Të ndjerët janë dy punonjës të shërbimit shëndetësor dhe vetë pacienti që ndodhej në ambulancë. Një person tjetër ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa 15 të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.

Menjëherë pas ngjarjes, autoritetet italiane nisën procedurat për trajtimin e një aksidenti të rëndë rrugor. Në vendngjarje mbërritën dy helikopterë mjekësorë, disa ambulanca dhe zjarrfikës, të cilët punuan për orë të tëra për të nxjerrë të plagosurit nga rrënojat.