
Një vatër zjarri është raportuar këtë të shtunë në malin e Skërficës, në territorin e Bashkisë Delvinë, duke rrezikuar përhapjen edhe drejt Bashkisë Gjirokastër.
Sipas informacioneve zyrtare, zjarri vijon të jetë aktiv dhe, në varësi të drejtimit të erës, mund të përfshijë zona më të mëdha, përfshirë pyllin e mbrojtur të Pikësit.
Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) i Gjirokastrës ka sinjalizuar kolegët e MZSH Delvinë, të cilët kanë nisur menjëherë në terren një grup zjarrfikësish për të ndërhyrë. Për shkak të terrenit të thyer malor dhe distancës, ndërhyrja nga ana e MZSH Gjirokastër me mjete tokësore nuk ka qenë e mundur.
Burime zyrtare bëjnë me dije se ditën e nesërme pritet të dërgohet një grup prej 10 efektivësh zjarrfikës për të vijuar përpjekjet për izolimin e flakëve, ndërsa do të kërkohet edhe mbështetje nga forcat ushtarake për një ndërhyrje tokësore më të zgjeruar.
Në kushtet kur rreziku për përhapjen e flakëve në zonat e mbrojtura pyjore është i lartë dhe për shkak të vështirësive në aksesimin e zonës, autoritetet kanë bërë thirrje për një ndërhyrje emergjente nga ajri, për të shmangur dëmtime të rënda dhe të parikuperueshme në zonën e mbrojtur të Pikësit.