
Dy turiste nga Hollanda janë shpëtuar nga Policia e Pukës, pasi kishin humbur rrugën dhe nuk po arrinin të orientoheshin në malet e Qerretit. Ato u gjetën pas një operacioni kërkimi disa orësh, ku u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë.
Sipas njoftimit zyrtar, njëra prej turisteve, e identifikuar me inicialet K. D., kishte pësuar dëmtime të lehta pasi ishte rrëzuar gjatë ecjes në terren të vështirë. Fatmirësisht, pas ndërhyrjes së shpejtë, të dyja turistet ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Turistet shprehën falënderimet e tyre për efektivët e policisë për reagimin e shpejtë dhe ndihmën e ofruar në një situatë të vështirë.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër deklaron se do të vijojë të jetë maksimalisht e angazhuar për të garantuar sigurinë e turistëve dhe vizitorëve që zgjedhin të eksplorojnë natyrën shqiptare.