Vendosni fjalën kyçe....

 ‘Fshati turistik’ pa leje në Theth, i vetmi për të cilin prokuroria s’nisi hetimin – Për 6 muaj policia referoi 34 raste, akuza regjistroi 33


Ndërtimi i 12 kabinave përballë kishës së Thethit, që Kryeministri Rama e denoncoi si ‘fshat turistik’ pa leje të një krimineli, është i vetmi mes 34 denoncimeve, që Prokuroria e Shkodrës vendosi mos nisjen fare të hetimeve.

Vetë organi i akuzës në kryeqendrën e Veriut, në një përgjigje zyrtare për Report Tv thotë se ka regjistruar 33 procedime penale për ndërtime pa leje në perlën e alpeve shqiptare.

Por Report Tv i kërkoi informacion edhe Policisë së Shtetit për numrin e referimeve që vetë uniformat blu kanë bërë. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në këtë kthim-përgjigje zyrtare, thotë se përgjatë 6 muajve të parë të vitit 2025, nga 1 janari deri më 30 qershor, blutë e Shkodrës kanë evidentuar në Theth 34 raste për ndërtim pa leje, për të cilat u arrestua një person, u shpall në kërkim një tjetër dhe u morën në hetim në gjendje të lirë 32 persona. Rastet janë referuar në Prokurorinë Shkodër, e cila në bazë të materialeve ka marrë vendimet për vijimësi ose jo të hetimeve.

Pra i vetmi referim që u konsiderua i padenjë nga organi i akuzës për të nisur hetimin ishte ndërtimi i cili u bë shkas për aksionin masiv për prishjen e më shumë se 100 ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Thethit. Për këtë vendimmarrje ishte vetë kryeministrit Rama që bëri denoncimin dhe që kërkoi edhe ndëshkimin e prokurores Elsa Gjeli, e cila tashmë është në hetim disiplinor nga ILD.

Bashkë më aksionin për prishjen me ekskavatorët e IMT-së së bashkisë, koka u prenë në Policinë e Shkodrës, mes tyre drejtori Fatmir Lleshaj dhe shefi i komisariatit, Nik Nikollaj, u shkarkuan nga detyra pasi sipas kryepolicit Proda, nuk verifikuan ndërtimet që pushtuan Thethin.

Një tjetër e dhënë interesante vënë në dispozicion nga policia dhe prokuroria në përgjigjet për Report Tv janë rastet në tërësi të ndërtimit të paligjshëm në të gjithë territorin e bashkisë Shkodër.

Sipas policisë, në total janë 85 të tilla, çfarë do të thotë se vetëm 51 prej tyre janë në të gjithë territorin, pa njësinë administrative të Thethit. Pra, policia referoi në prokurori shumë më tepër raste të ndërtimit të paligjshëm në Theth se në çdo territor tjetër të bashkisë. Të dhënat e prokurorisë flasin për 91 raste në total që janë në hetim, por këtu përfshihen edhe referime të bëra nga IMT Shkodër dhe komisariati i Malësisë së Madhe.

Praktikisht, Policia e Shkodrës, në vetëm 6 muaj mundi të identifikojë një numër të konsiderueshëm të ndërtimeve pa leje, për të cilat organi i akuzës në pjesën më të madhe të rasteve nisi hetim, i cili vijon. Megjithatë, me prishjen e ndërtimeve përmes një aksioni të madh të IMT-së, hetimi pritet të mbyllet për të gjitha, pasi tashmë objektet nuk ekzistojnë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja.com