
I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, ka vizituar qendrat e shpërndarjes së ndihmave në Rripin e Gazës, të operuara nga Fondacioni Humanitar për Gazën (GHF), një organizatë e mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli. Vizita e tij ndodhi në një kohë kur Kombet e Bashkuara dhe Human Rights Watch akuzojnë ushtrinë izraelite për sulme të përsëritura ndaj civilëve palestinezë që presin për ushqime, përcjell REL.
Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut raportoi se që nga fundi i majit, janë vrarë të paktën 1.373 palestinezë gjatë përpjekjeve për të marrë ndihma, 105 prej tyre vetëm në dy ditët e fundit të korrikut. HRW foli për “gjakderdhje të rregullt” pranë qendrave të ndihmës, përkundër faktit që ato drejtohen nga një organizatë e mbështetur nga aleatët e Izraelit.
Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, që shoqëroi Witkoffin në vizitë, tha se “GHF shpërndan mbi 1 milion vakte në ditë” dhe u shpreh se Hamasi “e urren këtë organizatë sepse i ushqen njerëzit dhe nuk lejon që ndihmat të plaçkiten nga Hamasi”.
Vizita vjen një ditë pas takimit të Witkoff me kryeministrin izraelit Netanyahu, ku diskutuan mundësitë për ndalimin e luftës, shtimin e ndihmave dhe lirimin e pengjeve. Netanyahu vazhdon të këmbëngulë në shkatërrimin e Hamasit, pavarësisht presionit ndërkombëtar në rritje për një zgjidhje.
Që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, pas një sulmi brutal të Hamasit që vrau 1.200 izraelitë dhe rrëmbeu 250 të tjerë, ofensiva izraelite ka shkaktuar mbi 60.000 të vrarë në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje, me shumicën e viktimave të përbëra nga gra dhe fëmijë. Megjithatë, shifrat nuk ndajnë civilët nga luftëtarët e Hamasit.