
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), në bashkëpunim me autoritetet gjermane, ka finalizuar një operacion të përbashkët kundër një grupi kriminal që vepronte përmes mashtrimeve kompjuterike, me bazë në Shqipëri.
Grupi kishte ngritur një Call Center në vendin tonë dhe ka arritur të mashtronte qindra shtetas gjermanë, duke u shkaktuar atyre një dëm financiar prej rreth 365 mijë eurosh.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur bashkë me homologët gjermanë, prokurori i SPAK, Eneid Nakuçi, dha detaje mbi hetimin dhe mënyrën e funksionimit të këtij grupi.
“Është një procedim i vitit 2024, që fillimisht ka nisur në fund të vitit 2023 në Gjermani. Ata hiqeshin si oficerë policie dhe i bindnin qytetarët gjermanë se po i ndihmonin për të rikuperuar humbjet e tyre në Forex dhe kriptovaluta. Gjatë hetimit u zbulua se në fakt, ata i mashtronin edhe më tej, duke i zhytur në humbje të tjera financiare,” u shpreh Nakuçi.
Autoritetet shqiptare, pas kërkesës së palës gjermane dhe analizës së provave, kanë ushtruar kontroll në ambientet e Call Center-it në Shqipëri, ku janë sekuestruar prova dokumentare dhe digjitale të vlefshme për hetimin.
“Pas gërshetimit të provave, i kemi kërkuar gjykatës shqiptare caktimin e masave të sigurisë për të dyshuarit: 5 masa ‘arrest me burg’ dhe 3 masa ‘arrest në shtëpi’,” tha më tej prokurori i SPAK.
Operacioni “Pandora” vjen si rezultat i intensifikimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht atij që përdor mjetet digjitale për mashtrime ndërkufitare.
Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vijojnë për të identifikuar edhe persona të tjerë të përfshirë.