
Këshilli i Ministrave ka miratuar shpalljen e qytetit të Konispolit si Ansambël Arkitektonik Urban, një vendim që i jep këtij qyteti status të mbrojtur për vlerat e tij të rralla historike, arkitektonike dhe kulturore.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili në një postim në rrjetet sociale theksoi rëndësinë e këtij vendimi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare.
“Sot, Këshilli i Ministrave miratoi shpalljen e qytetit të Konispolit si Ansambël Arkitektonik Urban me vlera të veçanta historike dhe kulturore, një vendim që i hap rrugën mbrojtjes, restaurimit dhe promovimit të kësaj qendre me trashëgimi të rrallë,” shkruan Gonxhja.
Ai theksoi se Konispoli përfaqëson një identitet të veçantë në jug të Shqipërisë, me “banesa tradicionale që datojnë në shek. XIX-XX, gjurmë të pazarit të vjetër, arkitekturë karakteristike me gurë të punuar, rrugica me kalldrëm, e deri te lagjet me emra fisesh dhe vendbanimet antike në Qafën e Ktismave”.
Sipas ministrit, qyteti ka qenë gjithashtu një vatër e rëndësishme rezistence dhe kulture kombëtare, ndërsa “sot ky status i ri përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm përmes turizmit kulturor dhe mbrojtjes së trashëgimisë sonë”.
Vendimi është fryt i punës së Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe bazohet në Ligjin Nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, me synimin për të garantuar ruajtjen dhe valorizimin e pasurive të paluajtshme me vlera të veçanta.