
Ministria e Jashtme e Izraelit ka urdhëruar evakuimin e shumicës së përfaqësuesve të saj diplomatikë dhe anëtarëve të familjeve të tyre nga misionet në Emiratet e Bashkuara Arabe – përkatësisht nga ambasada në Abu Dhabi dhe konsullata në Dubai. Ky veprim i pazakontë vjen në vijim të një paralajmërimi të lëshuar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC) për shtetasit izraelitë që ndodhen në EBA, duke nënkuptuar një rrezik të madh sigurie, përcjell YNetNews.
Sipas NSC-së, ekziston një rritje e ndjeshme e motivimit të organizatave terroriste për të goditur Izraelin, veçanërisht pas operacionit ushtarak izraelit të quajtur “Si luani” dhe fushatës së Hamasit të njohur si “fushata e urisë” në Gaza.
“Vlerësohet se ka një shtim të përpjekjeve për hakmarrje kundër Izraelit,” thuhet në deklaratën e publikuar. Kjo ka shtuar shqetësimet për sulme të mundshme kundër përfaqësive diplomatike dhe shtetasve izraelitë në rajon.
Evakuimi i diplomatëve përforcon seriozitetin e paralajmërimit dhe pasqyron një situatë të tensionuar të sigurisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, një shtet që në vitet e fundit ka forcuar lidhjet me Izraelin përmes Marrëveshjes së Abrahamit.