
Një depo raketash e lidhur me Brigadën 107 të Ushtrisë Siriane në zonën Jableh, në Latakia, është goditur nga një sulm ajror, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër. Organizata tha se depoja u përfshi nga shpërthime të fuqishme dhe zjarre, ndërsa ende nuk ka informacione mbi viktima apo të plagosur, përcjell YNetNews.
Sipas burimeve të Observatorit, sulmi dyshohet të jetë kryer nga Izraeli, megjithatë, media të tjera arabe nuk e kanë konfirmuar këtë pretendim dhe nuk e kanë përmendur emrin e Izraelit si autor të mundshëm të sulmit.
Sulmet e tilla në Latakia, një nga bastionet e regjimit të Assad dhe një zonë me praninë e rëndësishme të forcave pro-iraniane, janë të rralla, duke i dhënë më shumë rëndësi këtij incidenti. Deri tani, autoritetet siriane nuk kanë dhënë asnjë deklaratë zyrtare.