Vendosni fjalën kyçe....

Franca dhe 14 vende të tjera hapin rrugën për njohjen e shtetit të Palestinës



Franca dhe 14 shtete të tjera kanë firmosur një deklaratë të përbashkët që sinjalizon mundësinë e një vale të re njohjesh për një shtet të pavarur palestinez në muajt në vijim, përcjell Guardian.

E ashtuquajtura “Thirrja e Nju Jorkut”, e publikuar nga ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Noël Barrot, përpara përfundimit të një konference treditore të OKB-së mbi zgjidhjen me dy shtete, përmban mbështetje të qartë për njohjen e Palestinës dhe rivendosjen e paqes në rajon.

Ndër vendet firmëtare janë Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Portugalia, Finlanda dhe Luksemburgu – shtete që ende nuk e kanë njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës. Ato iu bashkuan vendeve si Spanja, Irlanda, Norvegjia dhe Sllovenia, që e kanë ndërmarrë tashmë këtë hap. Në deklaratë theksohet angazhimi për një zgjidhje me dy shtete “ku Izraeli dhe Palestina do të ekzistojnë përkrah njëri-tjetrit në paqe, me kufij të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht”.

Në të njëjtën kohë, shtetet firmëtare kërkuan bashkimin e Gazës me Bregun Perëndimor nën autoritetin e Autoritetit Palestinez – një qëndrim që përkon me përpjekjet diplomatike për ta rikthyer zgjidhjen me dy shtete në qendër të debatit ndërkombëtar.

Kjo lëvizje ndodh në një kontekst kritik: ofensiva ushtarake e Izraelit në Gaza, e nisur pas sulmit të Hamasit në tetor 2023, ka shkaktuar mbi 60,000 viktima, sipas autoriteteve shëndetësore të udhëhequra nga Hamasi në Gaza. Britania, përmes kryeministrit Keir Starmer, paralajmëroi se mund të njohë shtetin e Palestinës në shtator nëse nuk ka përparim në drejtim të një armëpushimi dhe një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump kritikoi mundësinë e një njohjeje të tillë, duke deklaruar se kjo do të ishte një “shpërblim për Hamasin”. Ndërkohë, kryeministri australian, Anthony Albanese, theksoi se njohja duhet të ndodhë në një moment që do të ndihmojë për të arritur një përparim real në negociata.

Ambasadori izraelit në OKB, Danny Damon, e cilësoi deklaratën si “hipokrizi” dhe akuzoi vendet firmëtare se po bëjnë deklarata të kota ndërkohë që pengjet mbeten të bllokuara në tunelet e Hamasit në Gaza.

Tensionet në arenën ndërkombëtare mbeten të larta, por për herë të parë në vite, përkrahja për një shtet palestinez duket se po konsolidohet në një front më të gjerë diplomatik.