
Policia e Beratit ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Qyteti”, duke dokumentuar veprimtarinë kriminale të një 31-vjeçari nga Kuçova, i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit, i riu u arrestua në flagrancë, ndërsa në makinën dhe banesën e tij u sekuestruan doza dhe sasi të lëndës narkotike Cannabis Sativa në formë boçeje, pesë peshore elektronike, 175 000 lekë, 1060 euro dhe shuma të tjera parash në valuta të ndryshme, të dyshuara si përfitime nga aktiviteti i paligjshëm.
Sipas hetimeve, ai siguronte drogën, e ndante në doza dhe e shiste në zona të ndryshme të qytetit të Kuçovës.
Njoftimi:
Berat/Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor antidrogë, i koduar “Qyteti”.
Dokumentohet veprimtaria kriminale e një 31-vjeçari të implikuar në shitjen në doza, të lëndës narkotike Cannabis Sativa, në Kuçovë.
Gjenden në automjetin dhe në banesën e tij: sasi (në trajtë boçeje) dhe doza Cannabisi, 5 peshore elektronike, 175 000 lekë, 1060 euro dhe shuma në valuta të tjera të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Si rezultat i një hetimi disajavor të ndjekur nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Berat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit, u finalizua në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Berat, operacioni “Qyteti”.
Në kuadër të tij u vu në pranga shtetasi E. M., 31 vjeç, banues në Kuçovë.
Nga hetimet rezultoi se ky shtetas siguronte sasi Cannabis dhe e ndante në doza, me qëllim shitjen në zona të ndryshme të Kuçovës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.