
Autoritetet lokale në Polinezinë Franceze kanë hequr alarmin për cunami në Ishujt Marquesas të mërkurën, duke njoftuar se banorët mund të kthehen në shtëpitë e tyre, por u kërkohet të mbeten të kujdesshëm, përcjell Guardian.
Valët e cunamit filluan të godasin herët të mërkurën, por sipas autoriteteve ishin më të vogla nga sa ishte parashikuar fillimisht.
Komisioni i Lartë i Republikës në Polinezinë Franceze njoftoi se lartësia e valëve arriti deri në 1.5 metra, më e ulët se parashikimi fillestar prej deri në 4 metra. Sipas zyrtarëve, në orët në vijim priten ende valë të vogla shtesë.
Në pjesë të tjera të Polinezisë Franceze, lartësia e valëve pritet të mbetet nën 30 centimetra. Megjithatë, autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë larg vijave bregdetare dhe daljeve të lumenjve.
Ishujt Marquesas, ndër më të largëtit në botë, kanë një popullsi prej rreth 9,500 banorësh sipas regjistrimit të vitit 2022. Polinezia Franceze përbëhet nga pesë arkipelagë me gjithsej 118 ishuj, por me një sipërfaqe totale toke prej vetëm rreth 4,200 kilometra katrorë.