
Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do të njohë shtetin palestinez në një takim të Kombeve të Bashkuara në muajin shtator, përveç nëse qeveria izraelite merr hapa të rëndësishëm për t’i dhënë fund situatës së rëndë humanitare në Gaza.
Sipas Starmer, njohja do të realizohet në rast se Izraeli nuk ndërmerr “masa thelbësore për t’i dhënë fund gjendjes së tmerrshme në Gaza”, përfshirë një armëpushim dhe angazhim të qartë për një proces paqeje afatgjatë, përcjell BBC.
Kjo deklaratë vjen në një moment kur Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza njofton se më shumë se 60,000 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i ofensivës izraelite, përfshirë 112 të vrarë vetëm në 24 orët e fundit.
Një trup ndërkombëtar për sigurinë ushqimore i mbështetur nga OKB bëri të ditur më herët se “skenari më i keq i urisë është duke ndodhur aktualisht” në Gaza, me “prova në rritje” për urinë masive.
Izraeli, nga ana tjetër, këmbëngul se nuk ka kufizime për dërgimin e ndihmave dhe se “nuk ka uri”.
Megjithatë, autoritetet izraelite nuk lejojnë hyrjen e lirë të organizatave ndërkombëtare të lajmeve, për të raportuar në mënyrë të pavarur nga Gaza.