Vendosni fjalën kyçe....

Ghislaine Maxwell do dëshmojë para Kongresit për Dosjen Epstein nëse i jepet imunitet


Ghislaine Maxwell është ofruar të dëshmojë para Kongresit, por u ka kërkuar ligjvënësve t’i japin imunitet, së bashku me kushte të tjera, sipas një liste kërkesash të dërguara në komitetin mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve nga avokatët e saj, të parë nga CNN.

James Comer, i cili kryeson komitetin mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, i kërkoi Maxwell të dëshmojë muajin e ardhshëm. Në një letër të re dërguar sot Comer, avokatët e Maxwell thanë se fillimisht vendosën të përdorin të drejtat e saj të amendamentit të pestë, por më pas ofruan të bashkëpunojnë me Kongresin “nëse mund të krijohet një rrugë e drejtë dhe e sigurt përpara”, shkruan The Guardian.

Letra vjen pasi Maxwell, bashkëpunëtore e Epstein, i cili po vuan një dënim me 20 vjet burg për trafikim seksual dhe krime të tjera, i kërkoi gjykatës supreme të SHBA-së të rrëzojë dënimin e saj.

Avokatët e saj pretendojnë se “çdo dëshmi që ajo jep tani mund të kompromentojë të drejtat e saj kushtetuese, të paragjykojë pretendimet e saj ligjore dhe potencialisht të njollosë një juri në të ardhmen”.

Letra vijon: Ajo që I përforcon këto shqetësime tonat, janë komentet publike nga anëtarët e Kongresit që duket se kanë paragjykuar besueshmërinë e znj. Maxwell pa dëgjuar fare se çfarë ka për të thënë ose pa vlerësuar dokumentacionin e gjerë që e vërteton atë.”

Një zëdhënës i komitetit mbikëqyrës hodhi poshtë idenë e dhënies së imunitetit Maxëell, duke i thënë CNN:

Komiteti mbikëqyrës do t’i përgjigjet avokatit të znj. Maxwell së shpejti, por nuk do të shqyrtojë dhënien e imunitetit të Kongresit për dëshminë e saj.

Sipas raportit të CNN, kushtet e Maxwell, siç janë përcaktuar nga avokatët e saj, përfshijnë:

Një dhënie imuniteti formal.

Intervista nuk mund të ndodhë në burgun ku ajo po vuan dënimin e saj.

“Për t’u përgatitur në mënyrë të përshtatshme për çdo deklaratë në Kongres – dhe për të siguruar saktësi dhe drejtësi – do na duheshin pyetjet e Komitetit paraprakisht…Pyetjet e papritura do ishin të papërshtatshme dhe joproduktive.”

Nëse kërkesat nuk mund të përmbushen, avokatët e saj thanë: “Maxwell nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të përdorë të drejtat e saj të amendamentit të pestë” (të drejtën për të heshtur).

Letra përfundon me një apel për falje nga Donald Trump, për të cilin, thonë avokatët e saj, Maxwell do ishte “e gatshme dhe e etur” të dëshmonte.