Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuzon qeverinë për “terrorizëm elektoral”: Laptopi i Ballukut përmban të dhëna për presione ndaj votuesve


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë, duke deklaruar se administrata publike është shndërruar në një “polici politike” që vepron në funksion të manipulimit elektoral. Në një dalje publike, Berisha përmendi ekzistencën e një laptopi që, sipas tij, i përket ministres Belinda Balluku dhe përmban të dhëna që tregojnë përfshirjen e punonjësve të administratës në ushtrimin e presionit ndaj qytetarëve për vota.

Sipas Berishës, përmes këtij sistemi, qytetarëve u bëhen premtime për punësim apo u ushtrohet presion për të votuar në favor të mazhorancës. Ai përshkroi situatën si një kriminalizim të procesit zgjedhor, ku funksionarë të shtetit veprojnë si “terroristë elektoralë”.

Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi direkt zyrtarë të administratës dhe institucioneve shtetërore, përfshirë edhe drejtues të burgjeve, policisë e institucioneve të tjera publike, si pjesë e një rrjeti që përdor vendet e punës për të ndikuar votën e qytetarëve. Ai pretendon se lista e personave të përfshirë është e gjatë dhe se të dhënat janë të dokumentuara në laptopin që ai e cilësoi “kriminal”.

Berisha e lidh këtë sistem me atë që e quan “narkoshtet”, duke akuzuar qeverinë për lidhje me krimin dhe përdorim të burimeve shtetërore për qëllime elektorale. Ai u bëri thirrje mediave të hetojnë këto praktika dhe të ndihmojnë në zbardhjen e asaj që e cilësoi si një “tragjedi kombëtare për demokracinë”.