
Kamionë të shumtë të nisur nga Shqipëria drejt Kosovës kanë krijuar radhë të gjata në aksin Bardhoc–Vermicë të rrugës Morinë–Kukës, duke paralizuar qarkullimin në këtë segment për orë të tëra.
Sipas raportimit të gazetarit të News24, Bledar Dokle, mjetet e tonazhit të rëndë janë parkuar në dy rreshta përgjatë rrugës, në pritje për të kaluar në territorin kosovar përmes pikës doganore të Vermicës.
Shkak për këtë situatë është bërë vendimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Transportit të Kosovës, e cila ka ndaluar përkohësisht qarkullimin e kamionëve në autostrada dhe rrugë rajonale gjatë intervalit orar 11:00–17:00, për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
Edhe pse ndalimi i përkohshëm për ditën e sotme ka përfunduar, kamionët vazhdojnë të presin për të hyrë në Kosovë, pasi autoritetet doganore kosovare po hasin vështirësi në përballimin e fluksit të lartë dhe në përpunimin e procedurave doganore.
Radha e mjeteve të rënda fillon që nga fshati Bardhoc dhe shtrihet deri te pika kufitare e Vermicës. Sot ishte dita e fundit e kësaj mase kufizuese, e cila ka qenë në fuqi për 15 ditët e fundit të muajit korrik.