
Prokuroria e Korçës ka lëshuar urdhër-arrest ndaj Ilirjan Selmanit, i cili dyshohet si autori i vrasjes së 52-vjeçares Kozeta Teço. Selmani u ndalua më herët nga policia, ndërsa hetimet kanë siguruar prova të konsiderueshme që dokumentojnë ngjarjen nga momenti i krimit deri në largimin e autorit nga vendngjarja.
Gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari ka mohuar përfshirjen në vrasje, por autoritetet deklarojnë se dinamika e ngjarjes është tashmë e dokumentuar në detaje, bazuar në hetimin e kryer nga policia dhe prokuroria.
Sipas hetimeve, mbrëmjen e së dielës, Selmani ndodhej në banesën e viktimës, siç kishte ndodhur shpesh gjatë netëve të kaluara. Dyshohet se mes çiftit, të cilët kishin një marrëdhënie disa vjeçare, ka ndodhur një konflikt i çastit që degjeneroi në dhunë fizike, duke përfunduar me vrasjen e Kozeta Teços dhe më pas me djegien e banesës për të fshehur gjurmët e krimit.
Ilirjan Selmani rezulton të jetë i njohur më parë nga policia si përdorues i lëndëve narkotike, të cilat, sipas burimeve, i kanë shkaktuar gjendje të shpeshta depresioni. Edhe viktima, sipas hetuesve, kishte shfaqur kohët e fundit probleme të shëndetit mendor.
Hetimet për këtë ngjarje të rëndë vijojnë, ndërsa pritet që ndaj të dyshuarit të ngrihen zyrtarisht akuzat për vrasje me dashje dhe dëmtim të pronës me zjarrvënie.