Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri francez: Marrëveshja tregtare SHBA-BE, një “ditë e errët” për Europën


Kryeministri francez François Bayrou ka deklaruar se Bashkimi Europian i është dorëzuar kërcënimeve të Donald Trump për rritje të përshkallëzuar tarifash, ndërsa e ka cilësuar marrëveshjen e arritur të dielën në Skoci si një “ditë të errët” për BE-në.

“Është një ditë e errët kur një aleancë e popujve të lirë, e bashkuar për të afirmuar vlerat dhe për të mbrojtur interesat e përbashkëta, i dorëzohet nënshtrimit”, shkroi Bayrou në rrjetin X të hënën.

Në kontrast me qëndrimin francez, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni përshëndetën marrëveshjen, të cilën komisioneri europian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, e quajti një “përparim të madh” për të shmangur një luftë tregtare të dëmshme mes dy ekonomive më të mëdha të botës, përcjell The Guardian.

Marrëveshja parashikon vendosjen e tarifave 15% për thuajse të gjitha eksportet europiane drejt SHBA-ve, përfshirë edhe automjetet – nivel ky që është trefishi i tarifës aktuale mesatare prej 4.8%.

Megjithatë, kjo shmang rrezikun e vendosjes së tarifave ndëshkuese prej 30%, të cilat Trump kishte paralajmëruar t’i vendoste më 1 gusht nëse nuk arrihej një marrëveshje.

 

Mosdakordësia franceze

Kritikat e ashpra të Francës, si edhe heshtja e presidentit Emmanuel Macron që nga nënshkrimi i marrëveshjes mes Trump dhe presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kanë nxjerrë në pah përçarje të mundshme brenda BE-së, në kohën kur marrëveshja duhet të miratohet nga shtetet anëtare.

Merz vlerësoi marrëveshjen, e cila u finalizua në sallonin e një resorti golfi të Trump në Skoci, duke theksuar se ajo shmangu “përshkallëzimin e panevojshëm të marrëdhënieve tregtare transatlantike” dhe një luftë tregtare potencialisht të dëmshme.

Edhe Meloni u shpreh pozitive, duke thënë se marrëveshja shmangu “pasoja potencialisht shkatërruese”.

Gjatë një samiti në Etiopi, ajo deklaroi se një përshkallëzim tregtar mes Europës dhe SHBA-ve do të kishte sjellë pasoja të paparashikueshme, ndonëse shtoi se Roma do të duhet të “studiojë detajet” e marrëveshjes.

 

Tregjet reagojnë, Franca kritikon

Tregjet europiane patën një rritje në fillim të ditës së hënë, si pasojë e lehtësimit që erdhi nga arritja e marrëveshjes. Indeksi DAX i Gjermanisë u rrit me 0.86%, ndërsa CAC 40 i Francës u rrit me 1.1%, duke çuar indeksin pan-europian Stoxx 600 në nivelin më të lartë që nga fundi i marsit.

Megjithatë, kjo eufori ra pas deklaratave të forta nga Parisi, që historikisht është parë si bashkë-drejtues i projektit europian bashkë me Gjermaninë.

“Gjendja aktuale nuk është e pranueshme dhe nuk mund të vazhdojë kështu,” tha ministri francez për çështjet europiane, Benjamin Haddad, duke i bërë thirrje BE-së të aktivizojë instrumentin e saj kundër shantazhit (“anti-coercion instrument”), që do të lejonte kundërmasa jo-tarifore.

Ministri francez i Tregtisë, Laurent Saint-Martin, kritikoi gjithashtu mënyrën se si BE-ja i trajtoi negociatat, duke theksuar se blloku nuk duhej të kishte hezituar të reagonte ndaj një përballjeje të iniciuar nga Trump.

“Donald Trump kupton vetëm forcën,” tha ai për radion France Inter. “Do të kishte qenë më mirë të tregonim aftësinë tonë për të reaguar më herët. Marrëveshja mund të kishte pasur një tjetër pamje.”

 

Detaje të reja për tarifat

Euroja ra me gati 1% ndaj dollarit amerikan, duke zbritur me një cent në nivelin 1.163.

Zyrtarë të lartë të BE-së zbuluan se tarifa 15% do të aplikohet për 70% të eksporteve europiane drejt SHBA-ve. Megjithatë, disa sektorë do të përjashtohen: pjesët e avionëve, disa produkte kimike, pajisjet për prodhimin e çipave dhe produkte bujqësore të caktuara si tapa vere dhe materialet për dysheme.

Sektori farmaceutik europian nuk do të përballet me tarifa mbi 15% sipas marrëveshjes së arritur me Trump.

 Deri në përfundimin e hetimit të Trump mbi barnat (bazuar në nenin 232 për sigurinë kombëtare), eksportet farmaceutike të BE-së do të mbeten pa tarifa.

Nëse në të ardhmen vendosen tarifa edhe për këtë sektor, BE ka marrë një angazhim nga Trump që ato të mos e kalojnë nivelin maksimal prej 15%.

Negociatat nisën të dielën me kërkesën fillestare të Trump që BE të pranojë tarifa 30%, më pas 21%, derisa palët u dakordësuan në 15%, në bisedime që janë përshkruar si “shumë intensive”.