Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë përfshin marrëveshja tregtare SHBA–BE



Shtëpia e Bardhë ka zbuluar zyrtarisht detajet e një marrëveshjeje të re dhe të gjerë tregtare me Bashkimin Evropian, e cilësuar si një
“modernizim gjeneracional” i aleancës transatlantike, që pritet të ketë ndikim të madh në ekonominë globale dhe në marrëdhëniet SHBA-BE, përcjell BBC.

Sipas dokumentit të publikuar nga administrata amerikane, marrëveshja përfshin:

  • Blerje energjie në vlerë 750 miliardë dollarë nga BE prej Shteteve të Bashkuara;

  • Investime direkte prej 600 miliardë dollarësh në SHBA nga vendet e BE-së deri në vitin 2028;

  • Eliminimin e tarifave në sektorë të caktuar, si dhe vendosjen e kuotave të reja tregtare për produkte të ndryshme;

  • Lehtësimin e barrierave burokratike për eksportuesit amerikanë në tregun evropian.

Në fushën dixhitale, ku tensionet kanë qenë të vazhdueshme ndër vite, SHBA dhe BE bien dakord të adresojnë pengesat tregtare të pajustifikuara dhe të ruajnë tarifat zero për transmetimet elektronike, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt harmonizimit të politikave teknologjike.

Megjithatë, marrëveshja nuk është pritur me entuziazëm nga të gjithë. Qeveria franceze e kritikoi ashpër marrëveshjen, duke e quajtur një “ditë të errët” për Bashkimin Evropian, duke aluduar se BE “ka zgjedhur të nënshtrohet” ndaj presioneve amerikane, sidomos për shkak të tarifave 15% që SHBA ende aplikon ndaj mallrave evropiane.

Ndërkohë, ekonomistë në SHBA kanë shprehur shqetësim se tarifat ekzistuese mund ta bëjnë më të leverdishme për kompanitë amerikane të importojnë produkte nga jashtë, sesa t’i prodhojnë në vend, çka mund të ndikojë në rritjen e çmimeve për konsumatorët dhe në frenimin e prodhimit të brendshëm.

Pavarësisht kritikave, Shtëpia e Bardhë e cilëson këtë marrëveshje si një fitore të madhe strategjike, që forcon partneritetin ekonomik SHBA-BE në një kohë sfidash të mëdha gjeopolitike dhe konkurrencë në rritje me fuqitë e tjera botërore.