
Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës Erion Velihaj, kanë kërkuar zgjatjen deri më 24 shtator të afatit për njohjen e akteve dhe provave të akuzave të SPAK-ut, duke argumentuar se bëhet fjalë për një volum tejet të madh të materialeve hetimore e kësisoj kanë nevojë për më shumë kohë.
Sipas tyre, dhjetë ditët që përcakton ligji, janë krejt të pamjaftueshme për të zbërthyer në mënyrë profesionale materialet.
“Kjo e bën praktikisht të pamundur përgatitjen e një mbrojtjeje efektive dhe të barabartë (prokuroria ka pasur 2 vite në dispozicion), ashtu siç garantohet nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili kërkon që të pandehurit të kenë kohë dhe mundësi të mjaftueshme për t’u mbrojtur”, thuhet në kërkesën e tyre.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në paraburgimin e Durrësit në pritje të gjyqit. Ai u mor i pandehur më 24 korrik. Veliaj akuzohet për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurisë dhe futje e sendeve në burg.