Vendosni fjalën kyçe....

Rama për dhunën e efektivit në Vlorë: Të përjashtohet përgjithmonë nga Policia dhe t’i dorëzohet drejtësisë


Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ngjarjes së rëndë në Vlorë, ku një efektiv i Policisë së Shtetit, jashtë shërbimit, ka dhunuar fizikisht një kamarier.

Përmes një postimi në rrjetin X, Rama e ka cilësuar këtë një “konflikt të shëmtuar fizik”, dhe ka kërkuar masa të rënda ndaj efektivit.

Sipas kryeministrit, pezullimi i menjëhershëm i efektivit është vetëm hapi i parë, por pas tij duhet të pasojë përjashtimi pa kthim nga radhët e policisë si dhe dorëzimi i tij në duart e drejtësisë.

“Pezullimi nga detyra i efektivit të Policisë së Shtetit Dibër, që jashtë shërbimit ka marrë pjesë në një konflikt të shëmtuar fizik në Vlorë, është vetëm masa e parë që duhet të pasohet nga përjashtimi i këtij individi pa kthim në radhët e policisë, si edhe nga dorëzimi i tij në duart e drejtësisë sapo të dalë nga spitali,” shkruan Rama.

Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se në kuadër të reformës së re për kontrollin e territorit, do të rritet përgjegjësia ligjore për të gjithë punonjësit e shtetit që janë në kontakt me qytetarët.

Çdo shkelje, si gjatë orarit të punës ashtu edhe jashtë tij, nuk do të tolerohet.

Në fund, Rama paralajmëroi ndëshkime të rënda për çdo punonjës shteti që abuzon me detyrën apo përfiton nga pozicioni i tij për interesa personale, përfshirë edhe ndjekje penale dhe përjashtim afatgjatë nga sektori publik.