
Një vatër zjarri është shfaqur këtë të shtunë në Parkun Kombëtar të Prespës, në territorin e Bashkisë Pustec, duke vënë në alarm autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencës.
Më shumë se 50 forca zjarrfikëse ndodhen aktualisht në terren, së bashku me punonjës të shërbimeve publike, të Administratës së Zonave të Mbrojtura (ADZM), policisë kufitare, si dhe prefektin e qarkut të Korçës, Nertil Jole.
Sipas autoriteteve, zjarri është konstatuar në fazën fillestare dhe reagimi ka qenë i menjëhershëm, me ndërhyrje për të izoluar flakët dhe për të ndaluar përhapjen e tyre në zona të tjera të parkut natyror me rëndësi të lartë mjedisore.
Terreni dhe përmasat e vatrës po vlerësohen për të ndërmarrë ndërhyrje të mëtejshme, ndërsa janë marrë të gjitha masat e para për menaxhimin e situatës.
Deri në këto momente nuk raportohet për rrezik të drejtpërdrejtë për banesa apo jetë njerëzish. Strukturat mbeten në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim të mëtejshëm.