Vendosni fjalën kyçe....

Vengu nga Kuçova: Shqipëria përballet me një nga ditët më të nxehta, 36 vatra zjarri në 24 orët e fundit



Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi një vizitë sot në Qarkun e Beratit, ku ndoqi nga afër situatën e zjarreve në zonën e Shpiragut dhe monitoroi operacionet ajrore nga baza e Kuçovës, ku janë dislokuar avionët nga vendet partnere.

Në deklaratën e tij, Vengu tha se vendi po kalon një ndër ditët më të nxehta të verës, me temperatura që kanë shkuar deri në 45°C, çka ka favorizuar përhapjen e flakëve. Sipas tij, në 24 orët e fundit janë regjistruar 36 vatra aktive zjarri, nga të cilat 12 janë shuar, ndërsa 24 mbeten ende në luftë me forcat zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë.

“Operacionet nga ajri janë pezulluar për shkak të errësirës, por do të rinisin që në mëngjesin e nesërm,” u shpreh Vengu, duke theksuar se ndërhyrjet në terren vazhdojnë pa ndërprerje.

Zona më problematike mbeten qarqet e Vlorës, Dibrës dhe Beratit. Në veçanti, situatë kritike paraqitet në Shpirag, Paftal, Borsh, Piqeras, Selenicë, Shashicë dhe Kaninë, ku forcat janë të përqendruara për të mbrojtur banesat dhe infrastrukturën energjetike.

“Jemi në gatishmëri të plotë. Forcat në terren po punojnë për të mos lejuar përkeqësim gjatë natës,” shtoi ai.

Ministri nënvizoi gjithashtu ndihmën e çmuar nga partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile dhe ndërhyrjet ajrore nga forcat italiane dhe kroate me avionët Canadair.

“Mbështetja ka qenë e menjëhershme dhe e pakursyer. Mekanizmi europian është aktivizuar dhe qëndron në gatishmëri për çdo zhvillim në terren,” përfundoi ministri Vengu.