
Vetëm pak javë më parë, presidenti amerikan Trump dukej i bindur se një marrëveshje që do ndalte luftën në Gaza ishte disa ditë larg.
Marrëveshja do siguronte lirimin e pengjeve dhe do lejonte që ndihma të rrjedhë në enklavën ku njerëzit po vdesin nga uria, shkruan CNN.
Megjithatë tani, optimizmi i Trump duket se është zhdukur. Presidenti tërhoqi negociatorët e tij nga bisedimet e armëpushimit këtë javë pasi SHBA-të e konsideruan Hamasin se nuk po vepronte në mirëbesim dhe se nuk ishte serioz për sa i përket ndalimit tyë luftës. Steve Witkoff, i dërguari i Trump në Lindjen e Mesme, tha se po shqyrtonte “mundësi alternative” për të nxjerrë pengjet.
Presidenti amerikan sinjalizoi të premten se ishte koha që Izraeli të përshkallëzonte fushatën e tij ushtarake, edhe pse pamjet e fëmijëve të uritur në Gaza kanë çuar në zemërim global në rritje.
“Mendoj se ata duan të vdesin, dhe kjo është shumë, shumë keq”, tha Trump për Hamasin para se të nisej për një udhëtim fundjave në Skoci.
“Vjen një pikë ku do duhet ta përfundosh punën.”
“Ata do duhet të luftojnë dhe do duhet ta pastrojnë atë. Do t’ju duhet t’i hiqni qafe”, tha Trump për Izraelin në luftën me Hamasin.