
Izraeli po zhvillon konsultime të nivelit të lartë për të përcaktuar reagimin ndaj njoftimit të presidentit francez Emmanuel Macron për njohjen e shtetit palestinez, një veprim që pritet të formalizohet në shtator, sipas zyrtarëve izraelitë.
Ndër masat që po merren në konsideratë janë:
Zgjerimi i sovranitetit izraelit në pjesë të Bregut Perëndimor, një hap që gëzon mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Knesset-it aktual.
Mbyllja e konsullatës franceze në Jerusalem, e cila shërben zyrtarisht për banorët palestinezë.
Thirrja e ambasadorit izraelit në Paris për konsultime.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, i tha homologut të tij kanadez të premten se nisma e udhëhequr nga Franca do ta detyrojë Izraelin të marrë masa kundërpërgjigjeje. Një zyrtar i lartë shtoi se Macron “do të përjashtohet nga çdo rol i ardhshëm në procesin e paqes”, përcjell YNetNews.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar vendimin e Macron si “të parëndësishëm”.
Brenda qeverisë izraelite ka diskutime nëse duhet vepruar menjëherë për të dekurajuar shtete të tjera që mund të ndjekin shembullin e Francës, apo nëse të pritet deri në shpalljen zyrtare në shtator.
Macron thuhet se po shtyn zyrtarizimin e njohjes në pritje që vende të tjera, si Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia, Belgjika, Malta dhe Zelanda e Re, t’i bashkohen këtij hapi deri në vjeshtë.