
Situata me vatrat e zjarrit në Parkun Kombëtar të Prespës vijon të jetë kritike, ndërsa strukturat shtetërore dhe vullnetarë janë angazhuar për të frenuar përhapjen e flakëve në zonën e mbrojtur të Bashkisë Pustec.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare për Zonat e Mbrojtura për qarkun e Korçës, Gjergji Koki, ka dhënë një deklaratë nga terreni duke nënvizuar përmasat e ndërhyrjes dhe vështirësitë që po hasen.
“Fatkeqësisht, është viti i dytë që përballemi me një situatë zjarri me këtë përmasë. Megjithatë, nga eksperienca e vitit të kaluar kemi nxjerrë mësimet tona dhe reagimi i administratës ka qenë i menjëhershëm,” u shpreh Koki.
Ai theksoi se strukturat e ADZM-së janë në terren që nga momenti i parë i rënies së zjarrit, duke bashkëpunuar ngushtësisht me bashkinë, punonjësit e shërbimeve publike dhe qytetarë vullnetarë për të krijuar kordonë mbrojtës dhe për të ndaluar përhapjen e flakëve.
Sipas tij, vështirësia më e madhe lidhet me terrenin e thepisur dhe mungesën e rrugëve kaluese, çka e bën ndërhyrjen më të ngadaltë dhe të rrezikshme.
“Fatmirësisht, zjarri nuk ka depërtuar në bimësinë e lartë, por përhapja horizontale po na detyron të ndërhyjmë me kujdes të madh,” shtoi ai.
Një tjetër sfidë është mungesa e ndërhyrjes ajrore, pasi sipas Kokit, resurset ajrore janë prioritarizuar për zonat e banuara në nivel kombëtar. Për rrjedhojë, po kërkohet mbështetje nga bashkitë fqinje dhe po shfrytëzohen vetëm forcat tokësore për menaxhimin e situatës.
Ai bëri të ditur se një vlerësim i ri i situatës do të bëhet në orët e para të mëngjesit, me qëllim organizimin e një aksioni më të gjerë për të shuar vatrat aktive.
“Vullneti dhe përgjegjësia për të mbrojtur mjedisin është i lartë. Shpresoj që të mos përjetojmë situata si viti i kaluar dhe të mund ta izolojmë zjarrin në kohë,” përfundoi Koki.