
Policia e Fierit vijon me intensitet operacionin antikanabis të koduar “Koordinata”, i ndërmarrë nga strukturat e Komisariatit të Policisë Fier me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në territorin e qarkut.
Gjatë kontrolleve të vazhdueshme dhe hetimeve të kryera me metoda proaktive, shërbimet e policisë zbuluan në territorin e fshatit Çipllakë, njësia administrative Libofshë, një parcelë të mbjellë me 190 bimë të dyshuara si Cannabis Sativa. Bimët ishin fshehur në një sipërfaqe të mbuluar me shkurre, me qëllim shmangien e kontrollit ajror dhe tokësor.
Menjëherë pas konstatimit të rastit, u arrestua në flagrancë L. T., 41 vjeç, banues në këtë zonë, i dyshuar si autor i kultivimit të bimëve narkotike. Ai do të përballet me akuzën për “Kultivim të bimëve narkotike”, sipas Kodit Penal.
Një pjesë e bimëve u sekuestrua si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua në vendngjarje përmes djegies, nën mbikëqyrjen e strukturave të Policisë së Shtetit.
Operacioni “Koordinata” do të vijojë në të gjithë territorin e qarkut Fier për të identifikuar dhe ndëshkuar çdo tentativë për kultivim të lëndëve narkotike.