
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, reagoi ashpër ndaj njoftimit të presidentit francez Emmanuel Macron se Franca do të njohë zyrtarisht shtetin palestinez, përcjell YNetNews. Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X të premten mbrëma, Rubio shkroi se Shtetet e Bashkuara “e refuzojnë fuqishëm këtë vendim”.
“Kjo është një lëvizje e pamatur që i shërben vetëm propagandës së Hamasit dhe e kthen pas procesin e paqes,” tha Rubio. “Është një shuplakë për viktimat e 7 tetorit.”
Në kontrast me qëndrimin amerikan, kryeministri kanadez, Mark Carney, shprehu mbështetje të plotë për deklaratën e Macron. “Kanadaja do të punojë intensivisht në të gjitha forumet për të çuar përpara këtë qëllim, përfshirë dhe pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm në Konferencën e Nivelit të Lartë të OKB-së për zgjidhjen me dy shtete, javën që vjen në Nju Jork,” shkroi ai.
Carney kritikoi gjithashtu ashpër qeverinë izraelite për menaxhimin e krizës në Gaza. “Kanadaja dënon dështimin e Izraelit për të parandaluar katastrofën humanitare që po përshkallëzohet në Gaza. Kontrolli i ndihmave nga Izraeli duhet zëvendësuar me shpërndarje të plotë humanitare nga organizatat ndërkombëtare,” deklaroi ai.
Edhe kryeministri australian, Anthony Albanese, publikoi një deklaratë ku u shpreh se situata në Gaza ka kaluar kufijtë e çdo parashikimi. “Qëndrimi i qeverisë australiane është i qartë: çdo jetë e pafajshme ka rëndësi,” tha ai, duke përforcuar mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete dhe për njohjen e shtetit palestinez.
“Gaza ndodhet në një katastrofë humanitare,” shtoi Albanese. “Mohimi i ndihmave dhe vrasja e civilëve – përfshirë fëmijë – që kërkojnë ushqim e ujë, nuk mund të justifikohen. I bëjmë thirrje Izraelit të përmbushë menjëherë detyrimet e tij sipas së drejtës ndërkombëtare.”
Kryeministri francez Macron, në një njoftim historik të enjten në mbrëmje, deklaroi se Franca do të njohë zyrtarisht shtetin palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator. Në një letër dërguar kryetarit të Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, Macron theksoi se “në përputhje me angazhimin historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, kam vendosur që Franca të njohë shtetin e Palestinës”.
Zëvendëskryetari i Autoritetit Palestinez, Hussein al-Sheikh, e mirëpriti njoftimin.
Macron gjithashtu bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve dhe shtimin e ndihmave humanitare për Gazën. Ai theksoi se Hamas duhet të çarmatosej, siguria të rikthehej në territor dhe Gaza të rindërtohej.
“Në fund të fundit, është thelbësore të themelohet një shtet palestinez, të garantohet ekzistenca e tij dhe ai të kontribuojë në sigurinë në Lindjen e Mesme përmes çarmatimit dhe njohjes së plotë të Izraelit,” deklaroi Macron.
Sipas tij, “nuk ka alternativë tjetër” dhe kjo nismë pasqyron vullnetin e popullit francez që kërkon paqe në rajon.