
Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në konferencën e ardhshme të Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez, konfirmoi zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, gjatë një konference për shtyp të enjten, përcjell Jerusalem Post.
Konferenca, e cila pritet të mbahet më vonë gjatë këtij muaji në selinë e OKB-së, ka si qëllim të rishqyrtojë perspektivën për një zgjidhje të bazuar në krijimin e një shteti palestinez përkrah Izraelit. Megjithatë, administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka bërë të qartë se nuk e mbështet këtë proces.
Administrata Trump ka dekurajuar edhe qeveritë e tjera që të marrin pjesë në konferencën e ngjashme që u mbajt në qershor, duke theksuar qëndrimin skeptik të Shtëpisë së Bardhë ndaj formatit aktual të bisedimeve shumëpalëshe.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi të hënën se nuk ishte e sigurt nëse presidenti Trump do të kishte një mesazh të posaçëm për shtetet pjesëmarrëse në konferencën e OKB-së. Ajo theksoi se qëndrimi i presidentit ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme është i qartë:
“Presidenti nuk dëshiron të shohë më dhunë. Ai kërkon që vrasjet të ndalen, të arrihet një armëpushim në rajon dhe të lirohen të gjithë pengjet nga Gaza. Kjo ka qenë një nga prioritetet kryesore për këtë presidencë,” – tha Leavitt.
Ndërkohë, ambasadori amerikan Mike Huckabee deklaroi në janar se “do të habitesha nëse [Trump] do të dilte e të thoshte: ‘Le të punojmë për një zgjidhje me dy shtete.'” Kjo deklaratë përforcon idenë se administrata Trump po mban një qëndrim më të rezervuar, në krahasim me politikat e mëparshme të SHBA-ve mbi këtë çështje.
Konferenca vjen në një moment delikat për rajonin, mes dhune të përshkallëzuar, tensioneve politike dhe përpjekjeve për një marrëveshje të re armëpushimi, sidomos në Rripin e Gazës. Ndërkohë, vende si Franca kanë paralajmëruar njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës, duke rritur presionin diplomatik ndërkombëtar për një zgjidhje politike afatgjatë.