Vendosni fjalën kyçe....

Rusia dhe Ukraina pajtohen për këmbimin e 1200 të burgosurve të luftës në bisedimet e Stambollit


Rusia dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje për këmbimin e 1.200 të burgosurve të luftës gjatë një raundi të ri bisedimesh të zhvilluar më 23 korrik në Stamboll, nën ndërmjetësimin e Turqisë. Lajmin e bëri të ditur negociatori rus, Vladimir Medinsky, i cili deklaroi gjithashtu se Moska i ka ofruar Kievit dorëzimin e trupave të 3.000 ushtarëve ukrainas të vrarë.

“Jemi pajtuar për vazhdimin e këmbimit të të burgosurve të luftës, për të paktën 1.200 të burgosur shtesë që do të këmbehen nga të dyja palët në një të ardhme të afërt”, u shpreh Medinsky në një konferencë për media pas përfundimit të bisedimeve.

Takimi u çel me një apel nga Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, i cili kërkoi nga palët që t’i japin fund sa më parë luftës së përgjakshme që ka hyrë në vitin e katërt. “Qëllimi përfundimtar është një armëpushim që do t’i hapte rrugë paqes”, tha ai. Fidan falënderoi gjithashtu presidentët Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky për gatishmërinë për të negociuar, si dhe presidentin amerikan Donald Trump për angazhimin e tij në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit, përcjell REL.

Këmbimi i të burgosurve dhe trupave të ushtarëve të vrarë është i vetmi rezultat konkret i arritur deri më tani nga tre raundet e zhvilluara në Stamboll, përkatësisht në maj, qershor dhe tani në korrik. Ukraina ka shprehur shpresën se këto bisedime do të çojnë drejt lirimit të mëtejshëm të të burgosurve dhe organizimit të një takimi të drejtpërdrejtë midis presidentëve të të dy vendeve.

Ndërkohë, tensionet mbeten të larta pas një ultimatumi të dhënë javën e kaluar nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili i la Rusisë 50 ditë kohë për t’i dhënë fund luftës, përndryshe paralajmëroi për masa të reja ndëshkuese. Megjithatë, Kremlini nuk ka sinjalizuar ndonjë ndryshim të qëndrimit. “Askush nuk pret një rrugë të lehtë. Do të jetë shumë e vështirë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kur u pyet për pritshmëritë nga bisedimet.

Palët mbeten të ndara në qëndrime sa i përket përfundimit të luftës. Rusia ka kërkuar që Ukraina të tërhiqet nga katër rajonet që ajo pretendon se i ka aneksuar në shtator të vitit 2022, një kërkesë që Kievi e ka refuzuar kategorikisht. Ukraina ka theksuar se nuk do të ketë negociata për territorin pa një armëpushim të mëparshëm dhe se nuk do të njohë kurrë pretendimet e Rusisë mbi territoret e pushtuara, përfshirë edhe Krimenë, e aneksuar në vitin 2014.

Lufta, që nisi me pushtimin rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, ka sjellë shkatërrime masive në lindje dhe jug të vendit, si dhe mijëra viktima në të dyja palët. Pavarësisht përpjekjeve të ndërmjetësimit, zgjidhja e konfliktit mbetet ende e largët.