
Kompania Bankers Petroleum ka shpërndarë një njoftim për shtyp lidhur me zhvillimet e fundit ndaj ish-drejtuesve dhe drejtuesve të saj.
Ajo ka shprehur shqetësime serioze mbi procedurat dhe proporcionalitetin e veprimeve të prokurorisë ndërsa sqaron se po u përmbahet të gjitha marrëveshjeve me qeverinë shqiptare dhe vendimit të marrë nga Gjykata e Arbitrazhit në vitin 2024.
Më tej në reagim nënvizohet se kompania po ofron mbëshetje ligjore për stafin e prekur nga veprimet e prokurorisë dhe se ka angazhuar ekipe ligjore në vend dhe jashtë për të drejtuar mbrojtjen ligjore si brenda Shqipërisë dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Në fund kompania Bankers Petroleum thekson se do përmbushë detyrime kontraktuale dhe do u përmbahet ligjeve shqiptare dhe se vperimet e prokurorisë nuk duhet të zëvendësojnë përmbushjen e vendimit të Arbitrazhit.
Njoftim për shtyp
“Kompania po ndjek me shqetësim hetimet ndaj disa prej drejtuesve e punonjësve të saj aktualë dhe të mëparshëm. Duam të përsërisim se ndryshimi i kontrollit tek investitorët aktualë ndodhi në shtator 2016.
Këto zhvillime vijnë pas muajsh mbikqyrjeje mbi komunikimet telefonike dhe sekuestrimit të sendeve personale dhe të punës të disa prej punonjësve tanë, të kryera në rrethana që ngrenë shqetësime serioze mbi procedurat dhe proporcionalitetin, duke kulmuar në masa kufizuese ndaj individëve dhe mjeteve të punës.
Ne rikonfirmojmë se:
- Marrëveshjet sipas të cilave Kompania operon në Shqipëri, dhe sistemi i “rikuperimit të kostove” në ato marrëveshje, i cili është në qendër të këtij hetimi penal ndaj drejtuesve dhe punonjësve të Kompanisë, u vlerësuan në një vendim përfundimtar të lëshuar nga një arbitrazh i ICC në vitin 2024;
- Megjithatë, Kompania po bashkëpunon plotësisht me autoritetet kompetente hetimore shqiptare;
- Të gjithë punonjësit kanë të drejtë të prezumohen të pafajshëm dhe kanë të drejtën për mbrojtje ligjore të pavarur dhe të drejtë;
- Kompania po ofron mbështetje të plotë ligjore për të gjithë stafin e prekur dhe garanton përfaqësim të plotë ligjor në çdo fazë proceduriale, duke mbështetur fuqimisht të drejtën e tyre për një proces të drejtë dhe të paanshëm.
Duke marrë parasysh ndikimin e mundshëm që këto zhvillime mund të kenë në integritetin e operacioneve të saj në Shqipëri, Kompania ka angazhuar ekipe ligjore si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit për të bashkë-udhëhequr mbrojtjen ligjore, si brenda vendit ashtu edhe para organeve ndërkombëtare të arbitrazhit.
Kompania aktualisht po vlerëson të gjitha rrugët ligjore ndërkombëtare të disponueshme, duke përfshirë procedimet tek institucionet ndërkombëtare të investimeve dhe arbitrazhit sipas Rregullave të Iç-së, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të saj si investitor i huaj dhe ruajtjen e sigurisë ligjore të operacioneve të saj.
Kompania do të vazhdojë të përmbushë detyrimet e saj kontraktuale dhe t’u përmbahet ligjeve shqiptare. Ne besojmë se as mekanizmat e lartpërmendur dhe as nxitja e tyre nuk duhet të zëvendësojnë dialogun në lidhje me zbatimin e vendimit përfundimtar të lëshuar në arbitrazhin e lartpërmendur të ICC-së, të cilin ne kemi shprehur prej kohësh gadishmërinë tonë për ta finalizuar dhe zbatuar.
Kompania jonë nuk do të pranojë asnjë ndërhyrje të pajustifikuar që dëmton stafin e saj, familjet e tyre, reputacionin e saj ose investimin e saj të gjatë në vend.
Në këtë mjedis sfidues, ekipi ynë kryesor ka demonstruar unitet dhe profesionalizëm, duke siguruar që operacionet e Kompanisë të vazhdojnë pa ndërprerje.
Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj partnerëve tanë dhe të gjithë palëve të interesuara duke përmbushur detyrimet tona me të njëjtën cilësi dhe besueshmëri, ndaj institucioneve shqiptare dhe mbi të gjitha, ndaj të gjithë punonjësve tanë, të cilët i kanë shërbyer misionit tonë me integritet dhe profesionalizëm.”


