Vendosni fjalën kyçe....

OKB: Energjia e pastër më konkurruese se karburantet fosile, kërkohet veprim global


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, deklaroi se bota po hyn në një epokë të re energjetike, ku energjia e pastër po e tejkalon ekonomikisht dhe strategjikisht karburantin fosil. Ai i bëri thirrje vendeve të rishikojnë planet e tyre kombëtare dhe të heqin subvencionet për naftën, qymyrin dhe gazin, duke investuar në burime me emetim të ulët karbonik, përcjell Guardian.

Sipas raportit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë e Rinovueshme (IRENA), 90% e projekteve të reja të energjisë së rinovueshme janë më të lira se alternativat fosile. Energjia diellore është mesatarisht 41% më e lirë dhe ajo me erë në tokë kushton më pak se gjysma e karburanteve tradicionale.

Megjithatë, rritja e kërkesës për energji – për shkak të ngrohjes globale dhe teknologjisë – rrezikon të mbajë të lartë përdorimin e karburanteve fosile, duke vështirësuar arritjen e objektivit për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5°C. Po ashtu, infrastruktura e energjisë dhe mungesa e burimeve kritike mund të frenojnë përparimin.

OKB-ja dhe ekspertët e klimës kërkojnë veprim të shpejtë dhe investime të balancuara mes prodhimit dhe rrjeteve elektrike, me fokus te vendet në zhvillim dhe kompanitë teknologjike që konsumojnë energji në rritje. Guterres theksoi se transformimi energjetik është një nevojë ekonomike dhe strategjike për sigurinë globale.